Një figurë e njohur e futbollit europian ka vizituar ‘Shtëpinë e futbollit’. Ish-mbrojtësi i Parmës dhe i Kombëtares së Italisë, Antonio Benarrivo, i shoqëruar nga miq italianë dhe shqiptarë, zhvilloi një vizitë në ambientet e Federatës së Futbollit, ku u njoh nga afër me infrastrukturën moderne të FSHF-së.
Gjatë vizitës, Benarrivo pa kompleksin sportiv, laboratorin e fizioterapisë me pajisjet ndihmëse, si edhe zyrat dhe ambientet e tjera administrative. Ai vlerësoi investimet dhe standardet e krijuara, duke theksuar rëndësinë e infrastrukturës në arritjen e rezultateve sportive.
“Një kompleks i shkëlqyer, që tregon se rezultatet që keni arritur, nuk janë të rastësishme. Komplimente”, u shpreh Benarrivo.
Antonio Benarrivo është një nga mbrojtësit më të spikatur të futbollit italian të viteve ’90, i identifikuar ngushtë me klubin e Parmës, me të cilin fitoi disa trofe kombëtarë dhe ndërkombëtarë. Ai ishte gjithashtu pjesë e Kombëtares së Italisë që u shpall nënkampione e botës në Kampionatin Botëror 1994.
Gjatë qëndrimit në “Shtëpinë e futbollit”, Benarrivo vizitoi edhe muzeun e futbollit shqiptar, ku u njoh me historinë dhe zhvillimin e futbollit në vendin tonë, duke vlerësuar përparimin e bërë ndër vite.
“Historia dhe arritjet, sado të vogla duken, të japin forcë. Që aty fillon e ardhmja”, tha ai.
