Tenisti serb Novak Djokoviç, numri 1 në botë për meshkuj në tenis, është eliminuar sot nga grand slemi i Wimbledonit, pasi u mund në raundin e tretë nga tenisti amerikan Sam Querry, që fitoi 3-1 (7-6, 6-1, 3-6, 7-6). Një ndeshje që nisi dje dhe u mbyll sot, për shkak të shiut që ndali jo pak herë edhe sot këtë takim. Por serbi nuk ishte në një formë optimale dhe megjithëse sot arriti të rikuperojë disi pas disavantazhit 2-0, kur u ndal takimi dje, u eliminua. Dy herë “tie break” është fituar nga Querry, një “mbret i shërbimit”, që realizon fitoren më të madhe të karrierës së tij. Ndërsa Djokoviç heq dorë nga ëndrra për të fituar 4 grand slime brenda një viti.
Në ndeshjet e tjera për meshkuj të luajtura sot, Alexander Zverev fitoi 3-2 ndaj Mikahil Youzhny, një tjetër takim që ishtye lënë në mes, me gjermanin që avancon në turin e tretë të Wimbledonit. Fiton edhe kroati Marin Cilic, që mundi 3-0 (6-3, 6-3, 6-4) polakun Lukas Lazcko, duke avancuar më tej. Ndërsa Nicolas Mahut fitoi 3-1 ndaj Pierre Herbert. Avancon në raundin e katërt edhe numri 6 në botë, japonezi Kei Nikishori, që eliminoi Andrey Kuznetsov, pasi fitoi 3-0 (7-5, 6-3, 7-5). Më pas shiu sërish u bë protagonist, duke ndalur takimet e tjera.
Nuk ka surpriza te femrat, pasi tenistja rumune Simona Halep fiton pa shumë probleme ndaj Kiki Bertens 2-0 (6-4, 6-3), duke avancuar në turin tjetër. Pas një ndeshje maratonë fiton edhe Sloane Stephens, që mundi 2-1 Mandy Minella (3-6, 7-6, 6-8). Fiton edhe tenistja gjermane Angelique Kerber, fituese këtë vit në Australia Open, që mundi 2-0 Carina Wittheoht (7-6, 6-1). Vetëm seti i parë pati rivalitet, pasi më tej në fushë dominoi numri 4 në botë. Në takimet e tjera të mbyllura sot, zvicerania Timea Bacsinzsky mundi 2-1 Monica Niculesky, ndërsa Misaki Doi eliminoi Anna-Lena Friedsam.