
Supersfida e javës së 24 në Seria A do të jetë nesër mes Romës dhe Interit. Verdhekuqtë do të presin zikaltërit në orën 18:00, me synimin e vetëm për t’i ndalur ecurinë e fitoreve.
Roma vjen në momentin më të mirë këtë ndeshje, pas largimit të Mourinhos. Kjo pasi regjistron 3 fitore radhazi në kampionat, që e kanë pozicionuar në vendin e pestë. Trajneri De Rossi është dhe “ilaçi” i kësaj skuadre.
Me 1 pikë më pak se Atalanta, që ndodhet në zonën Champions, por 1 ndeshje më shumë të luajtur, Roma do bëjë gjithçka përpara tifozëve të saj.
Inter në anën tjetër udhëton i qetë. Pasi mposhti Juventusin, diferenca u thellua në 4 pikë. Një ndeshje më shumë për t’u luajtur, bëjnë që siguria të shtohet. Dhe pse shihen më të avantazhuar, gjithçka do i mbetet fushës së blertë në “Stadio Olimpico” të Romës.