Përmes një njoftimi në faqen zyrtare në Facebook, klubi i Partizanit ka reaguar për dhunën që policia ushtroi ndaj tifozëve të kuq në "Elbasan Arena" gjatë ndeshjes kundër Skënderbeut.
Klubi i kuq e quan të pakuptimtë reagimin e policisë ndaj tifozëve kryeqytetas, ndërësa pohon se nga përdorimi i gazit lotsjellës u rrezikua jeta e një 19-vjeçare që kaloi gjendjen kritike falë ndërhyrjes së stafit mjekësor.
"Klubi dënon dhunën e ushtruar nga policia ndaj tifozerisë së kuqe përgjatë takimit Partizani – Skënderbeu, i vlefshëm për javën e 9 të Kategorisë Superiore. Në mënyrë të pakuptimt dhe duke thyer çdo rregullore që përmban siguria në stadiume, forcat e ndërhyrjes së shpejtë kanë ndërhyrë në sektorin ku ishin të akomoduar tifozët e kuq duke përdorur gaz lotsjellës dhe më pas duke goditur në masë mbështetësit e kuq.
Për pasojë mjaft tifozë janë plagosur rëndë, përfshirë edhe një vajzë 19 vjeçare, e cila falë ndërhyrjes së menjëhershme të mjekeve dhe stafit te klubit kaloji gjendjen kritike për jetën dhe më pas është mbajtur për disa orë në spitalin e qytetit të Elbasanit.
Klubi përgjatë ditës së nesërme do të përgatisë një relacion të shoqëruar edhe me pamje filmike të cilat do të depozitohen pranë Federatës Shqiptare të Futbollit për të pasqyruar me fakte të gjithë dinamikën e këtyre ngjarjeve , të cilat sollën edhe ndërprerjen e takimit", lexohet në reagimin e klubit të Partizanit.