
Çështja më e diskutuar e momentin është ajo e tifozëve, pasi klubet po gjobiten javë pas jave për gjestet, banderolat, fjalët që përdorin ultrasit në shkallët e stadiumeve. Gjobat janë të majme, ndërsa peshojnë shumë në xhepat e drejtuesve të klubeve shqiptare, të cilat nuk kanë buxhet të madh sa për të përballuar gjobat e javë pas jave.
Opinionisti Bashkim Tufa flet në lidhje me klubet dhe bashkëpunimin e tyre me tifozët, ndërsa tregon diçka që ai e quan absurde: "Nuk kemi luksin që klubet tona të gjobiten javë pas jave, pasi shohim klube që kanë marrë gjoba të majme. Ajo që më duket absurde, mbi të gjitha është takimi mes tifozëve dhe klubit për rezultatet. E shoh si diçka të pakonceptueshme".
Qëndrim tjetër mban Bledi Shkëmbi, ish-kapiteni i Skënderbeut në gjashtë sezonet e shkuara, ku arriti që të koleksionojë gjashtë tituj kampionë. "Klubet përherë kanë pasur probleme të tilla, por duhet që së bashku me tifozët të diskutojnë rreth kësaj çështjeje që është bërë problematike".