Ditën e sotme është luajtur ndeshja përmbyllëse e javës së 8-të e Superligës së Kosovës. Skuadra e Prishtinës u përball me Fushë Kosovën në transfertë.
Një ndeshje që u mendua se do ishte e lehtë për Prishtinën, për shkak se pas 47 minutave kryeqytetasit ishin në avantazh të dyfishtë. Avantazh që ia solli Muja dhe Hyseni, por Fushë Kosova nuk u dorëzua dhe reagoi.
Si fillim në minutën e 51’, vendasit shkurtuan diferencat me Abazin, me këtë të fundit që shënoi nga 11-metërshi. Për barazimin e çmendur mendoi Ivkic në minutën e 95’ të sfidës, duke i marrë Prishtinës 1 pikë mjaft të vlefshme.
Me 2 pikët e lëna në këtë ndeshje, “Plisat” renditen në vendin e 5-të të klasifikimit në kuotën e 11 pikëve, ndërsa Fushë Kosova në vendin e fundit me 2 pikë të grumbulluara.