
Vijon lufta mes SuperSport në Shqipëri dhe Federatës Kosovare të Futbollit. Ka qenë kryeredaktori Dritan Shakohoxha që I ka kujtuar presidentit Agim Ademi se këta të fundit kanë transmetuar ndeshjet e Ligës kosovare dhe ndeshjet e përfaqësueses prej tetë vitesh, atëherë kur askush nuk e njihte dhe kujtohej për Kosovën.
Federata e Futbollit në Kosovë ka hapur një tender, ndërsa kërkon një tjetër kompani për të transmetuar Superligën. Nga ana e vet Supersport shprehet se është tentuar që me burrokracira dhe anë të errëta është tentuar të përjashtohet kompania shqiptare, ndërsa sipas Shakohoxhës kjo I është premtuar tjetërkujt nga presidenti I dënuar dhe në ikje I Federatës, Agim Ademi.
Reagimi I Shakohoxhës për mediet kosovare:
"Kjo që po bën FFK-ja është e pandershme. Në asnjë rast nuk kam menduar në jetën time që një institucion i Kosovës e përjashton një kompani shqiptare. Nuk e kisha menduar asnjëherë që nga koha e Fadil Vokrrit kur me çunat në Prishtinë, Adin, Andinin, Artorin, Arbërin, Florimin e Leartin, do të vinim në këtë pikë. 'DigitAlb' ishte 'shpirt patrioti' dhe Fadil Vokrri asokohe nuk mendoi për biznes, por e kërkoi ndihmën e Shqipërisë që ta ndihmojë futbollin e Kosovës, ta ndihmonte futbollin e Kosovës që të dilte në televizion.
Vite më parë askush nuk kishte dëgjuar dhe nuk dinte se ekzistonte një ekip si Llapi, Hajvalia ose Feronikeli. Nuk e dinte askush se ekzistonte një Milot Rashica. Ne kemi qenë të obliguar që ta promovojmë shqiptarinë. Shqiptarinë e kemi promovuar edhe kur nuk e njeh Evropa dhe kemi vazhduar ta promovojmë edhe kur e njeh.
Ne kemi transmetuar ndeshje si ajo e Kosovës me Haitin në Mitrovicë, i kemi transmetuar edhe ndeshjet e ekipit shpresa të Kosovës në Zvicër. Të gjitha për ta promovuar futbollin në Kosovë. Superliga e Kosovës ka qenë si fëmijë që e kemi parë në maternitet, tash pas tetë vjetësh ky fëmijë është rritur dhe kjo FFK synon ta na përjashtojë nga tenderi me frikën se mund të japim më shumë para. Unë akoma mendoj se kjo nuk do të ndodhë. Unë jam i lumtur që nuk është vetëm 'DigitAlb' që e do Superligën e Kosovës.
Presidenti në ikje Agim Ademi ka detyrime ndaj dikujt tjetër, ia ka premtuar të drejtat televizive dikujt tjetër. Por UEFA do t'i kryejë shumë shpejt detyrimet e saj dhe do ta pezullojë nga FFK, për shkak se përballet me ligjin, pasi është i dënuar nga Gjykata. Në këto tetë vjet në çdo qytet të Kosovës që e kam vizituar na kanë falënderuar për punën e bërë. Gjithmonë kanë thënë: 'Faleminderit 'DigitAlb'. 'DigitAlb', 'SuperSport' dhe futbolli i Kosovës do ta kenë së bashku dhe do ta ndjekin udhën e suksesit", u shpreh Shakohoxha.