
Sot do të luhen 7 sfida për javën e 22-të në Premier League. Takimet do të fillojnë në orën 13:30, ku në “Goodison Park” Everton do të presë Arsenal. Dy skuadrat kanë objektiva krejt të ndryshme. Arsenal kërkon të përforcojë pozitat në vendin e parë, ndërsa Everton me trajnerin e ri luftojnë për të dalë nga “zona e ftohtë”. Në orën 16:00 do të luhen 5 ndeshje. Aston Villa-Leicester është një sfidë për mesin e tabelës me Aston Villën që është 7 pikë më lart se “dhelprat” e Leicester.
Brentford-Southampton kanë rrugëtime të ndryshme këtë sezon. Brentford po lufton për një vend në kupat e Europës, ndërsa Southampton i vendit të fundit do tentojë të pamundurën për të marrë pikë aq të vlefshme për mbijetesën. Brighton-Bournmouth nuk duket se do të ketë shumë histori pasi “surpriza” Brighton është dukshëm më e avantazhuar se Bournmouth i vendit të 18-të. Manchester United-Crystal Palace parashikohet një sfidë e luftuar duke parë edhe rezultatin e fazës së parë 1-1, me Crystal Palace që barazoi në fundin e lojës.
Wolves-Liverpool duhet të jetë momenti i kthimit për “The Reds” pasi renditen në vendin e 10-të larg çdo objektivi në kampionat. Një fitore do t’i afronte ata në “Top 4”. Newscastle-West Ham është sfida e fundit për sot në orën 18:30. Londinezët shkojnë për të bërë “surprizën” në Newcastle, të cilën po konsolidojnë pozitat e tyre në zonën Champions.