
Arsenal ka fituar ndaj Evertonit me rezultatin e thellë 4-0. Topçinjtë bën detyrën në “Emirates” duke marrë një tre pikësh të vlefshëm në garën për titull. Ata forcojnë pozitat në vendin e parë duke u shkëputur me 5 pikë nga ndjekësit e Manchester City. Serinë e golave për Arsenal e hapi Saka i cili shndërroi në gol një top të dhënë nga Zinchenko në minutën e 40. Pesë minuta më vonë ishte Martinelli ai që dyfishoi shifrat pasi shfrytëzoi një top të gabuar nga Everton. Në fraksionin e dytë të lojës Odegaard shënoi të tretin pas një asisti nga Trossard. Në të 80’ ishte sërish Martinelli që shënoi duke mbyllur llogaritë me Everton në 4-0. Kjo ishte një sfidë e prapambetur në kampionatin anglez dhe Arsenal shkon në kuotën e 60 pikëve. Javën e ardhshmë ata do të presin Bournemouth.
Skuadra e Liverpool ka marrë një fitore të rëndësishme në “Anfield” duke mundur Wolves me rezultatin 2-0. Ekipi i Klopp i shënoi të dy golat në pjesën e dytë. Në pjesën e parë Liverpool ishte më kërkues por pa qenë në gjendje të finalizonte aksionet e saj sulmuese. Në pjesën e dytë pas një këmbënguljeje të gjatë ishte Van Dijk ai që shënoi në të 73-tën. Hollandezi shndërroi në gol një krosim të dhënë nga Diogo Jota. Gjashtë minuta më vonë ishte Salah ai që dyfishoi shifrat pas një asisti nga mbrojtësi i majtë Tsimikas. Kështu krejt takimi u mbyll 2-0. Liverpool me këtë fitore shkon në kuotën e 39 pikëve në vendin e gjashtë, tre pikë larg zonës europiane. Javën e ardhshme ata do të presin Manchester United në një përballje të zjarrtë.