
Para disa ditësh newsport.al zbuloi ekskluzivisht mbledhjen e fshehtë të bërë nga drejtuesit e Partizanit me skuadrën, një ditë pas humbjes kundër Laçit. E mbajtur nga drejtori i ri i përgjithshëm, Olsi Rama, futbollistët u njohën me masën e marrë nga drejtuesit.
Gjobë nga 4 mijë euro për lojtar, nëse nuk merren 7 pikë në tre ndeshjet e radhës iu komunikua atyre në mbledhje. Të gjithë heshten dhe newport.al mëson se ai që ka reaguar ka qenë Lorenc Trashi.
Mëngjërashi i të kuqve, që dje mbajti shiritin e kapitenit i është drejtuar Olsi Ramës: "Është e vërtetë që rezultatet po na mungojnë dhe jemi në një situatë të keqe. Por, siç e keni parë edhe ju vetë zoti drejtor ne kemi dhënë gjithçka në fushë, por edhe fati nuk ka qenë në anën tonë. Edhe ne duam të fitojmë dhe mbajmë të njëjtin objektiv që kishim në fillim të sezonit", ka përfunduar ai.
Kujtojmë që dje Partizani luajti në transfertë kundër Kukësit, ndeshje që përfundoi me rezultatin 2-1 në favor të të kuqve.