
Flamurtari ditën e sotme përfundoi afatin e pagesës së lojtarëve të cilët iu detyrohet shuma të mëdha për shkak të mosshlyerjes në kohën që kanë qenë në marrëdhënie pune me klubin vlonjat. Lojtarët e parë janë Polizoi Arbri, Franc Veliu dhe Artan Sakaj, të cilët presin paratë, por që deri më sot askush nuk i ka kontaktuar. Burime për "newsport.al" tregojnë se futbollistët nuk kanë marrë telefonatë as nga FSHF-ja dhe as nga klubi kuqezi, ku presin vendimin që do të merret.
I kontaktuar nga "newsport.al", beratasi Arbri tregon të vërtetën e orëve të fundit mbi çështjen e borxhit që i ka klubi vlonjat, ku thotë: "Askush nuk më ka kontaktuar deri më sot. Pas vendimit të Dhomës së Zgjidhjes së Konflikteve, unë jam në pritje të një telefonate sqaruese për atë që do të ndodhë më tej. Por, askush nuk është kujtuar. Unë jam në pritje të pagesës, nuk e di se çfarë do të bëjë FSHF-ja", përfundon Arbri.