
Policia ka ndaluar tifozin e famshëm Ismail Morina, i njohur për lëshimin e dronit në Beograd, në ndeshjen e futbollit mes Serbisë dhe Shqipërisë.
Mendohet se shkak për ndalimin e Morinës është bërë një status që ai kishte postuar në rrjetet sociale, ku njoftonte mbërritjen në Tiranë, dhe njëkohësisht përmendte presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiç.
“Kam marrë vesh që Vuçiqi don me ardhë në samit nesër, ia kishin pasë mbushë mendjen pasi i kishin ofru do karamele ZANA. Unë sapo zbrita në aeroportin NANA TEREZË, nji palë syze t’moçme i kam marrë me vete, amanet i vjetër prej POTOÇARI janë…”, kishte shkruar Ballist Morina në Facebook.
Deri tani, mbarëvajtja e samitit Bashkimi Europian-Ballkani Perëndimor në Tiranë ka vijuar qetësisht. Ndërsa në orën 12:00 pritet të nisë protesta e opozitës.