
Irlanda e Veriut ka fituar 2-1 me Kosovën në Belfast. Dardanët nuk ia kanë dalë të marrin tri pikë në ligën C të Nations League, edhe pse kanë dominuar me lojë dhe raste.
Futbolli është i ashpër, me Kosovën që u ndëshkua nga Whyte në minutën e 83 dhe Magennis në shtesën e tretë të ndeshjes. Kosova kaloi në avantazh me Muriqin në minutën e 58.
Pas pesë ndeshjeve, Kosova mban vendin e dytë me gjashtë pikë, një më shumë se Irlanda e Veriut. Me Greqinë që ka siguruar play-off e Europianit në vendin e parë me 12 pikë, gara është për vendin e dytë. Pas tre ditësh Kosova pret Qipron në Prishtinë.
Pas ndeshjes foli edhe trajneri i Kosovës, Alain Giresse.
“Rezultati është ky, e pamë lojën. Nuk e meritonim humbjen duke marrë parasysh lojën tonë, por ky është futbolli. Ndeshja ndahet në dy pjesë. Të parën e menaxhuam shumë mirë. Në pjesën e dytë patë një reagim nga Irlanda e Veriut.
Më vjen keq për rastet e shumta që nuk i konkretizuam. Është pjesa teknike dhe mosreagimi i mirë pas atyre rasteve të humbura. Nuk i shfrytëzuam rastet, prandaj jemi në këtë situatë që jemi.
Celina? Ai është ndërtues i lojës, ka rolin t’i japë ritëm lojës. Celina ia doli shumë mirë. Zëvendësimet e vonuara të Zenelit dhe Bytyqit? Jo medoemos, pasi edhe lojtarët e tjerë luajtën mirë. Ishim të lodhur në fundin e lojës, një gjë e tillë solli humbjen.
Kur flasim për golat që pësojmë, gjithmonë ka punë për të bërë. Nuk flas vetëm për golat që pësuam sot. Padyshim duhet bërë punë në aspektin mbrojtës, por duhet t’i keni parasysh edhe mungesat që patëm për shkak të dëmtimeve”, tha Giresse.