Shqipëria do të luajë në transfertë kundër Moldavisë, ndeshje e vlefshme për kualifikueset e EURO 2024. Kjo sfidë do të zhvillohet nesër në orën 18:00 dhe para takimit ka folur presidenti i Federatës së Futbollit të Moldavisë.
Në një lidhje direkte me emisionin “Zona 30” në “RTSH 1”, Leonid Oleinicenco ka thënë se ekipi i tij përfaqësues do t’i mposhtë këtë herë kuqezinjtë.
“Ju keni një skuadër shumë të fortë dhe në skuadrën tuaj merr kuptim fjala grup, sepse jeni shumë të bashkuar. Presim një ndeshje shumë të vështirë. Ju ndoshta keni nevojë vetëm për një pikë, por unë e di që Shqipëria do të luajë për fitore, si zakonisht.
Ne do të fitojmë, edhe pse kjo mund të duket pak e çuditshme për ju. Unë jam i sigurt që do të fitojmë, sepse kam shumë besim te Moldavia. Jemi përgatitur shumë mirë, kemi një klimë fantastike dhe të gjithë lojtarët kanë treguar se janë shumë të fortë dhe të gatshëm për të luajtur një ndeshje të madhe.
Fundjavën e kaluar, 6 lojtarë tanët gjetën rrugën e rrjetës dhe madje shumë prej tyre janë mbrojtës. Unë sigurisht që me humor iu kërkova që të ruanin disa gola për Shqipërinë”.