
Mbrëmja gala “Më të Mirët 2023”, organizuar nga FSHF, ndau çmimet për më të mirët e vitit në futbollin vendas në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit. Nuk munguan as të qeshurat, ku protagonistë u bën kryeministri i vendit Edi Rama dhe mbrojtësi i Kombëtares Elseid Hysaj.
Pasi Sylvinho përfundoi fjalimin e tij për nënshtetësinë shqiptare që fitoi, Hysaj dhe Rama nisën një bisedë mes tyre në skenë, ku ky i fundit do jepte pasaportat diplomatike për ekipin kombëtar.
Biseda mes kryeministrit Edi Rama dhe Elseid Hysajt:
Edi Rama: Jam këtu me privilegjin për të thënë dy fjalë që kanë të bëjë me nevojën për të përgëzuar ata që mundësuan këtë sukses të jashtëzakonshëm për Shqipërinë. Dua ta filloj nga pak më larg, nga Gianni De Biasi i cili është njeriu që na tregoi se kjo nuk është një ëndërr e pamundur. Dua ta vazhdoj me Edi Rejan i cili mori përsipër të drejtojë të drejtojë skuadrën tonë duke u bërë ura mes dy sukseseve dhe dua ta mbyll me Sylvinhon për të ndaluar pak këtu. Sylvio a e njeh presidentin e Republikës sonë? Të ftoj të vish pak në skenë.
Tani ftoj edhe një Hysaj, Hysaj, a është këtu ai sot? Hajde në skenë! Kur skuadra jonë Kombëtare u kualifikua në Europianin e 8 viteve më parë, ne u dhamë të gjithëve një pasaportë diplomatike. Mirëpo, nuk u kualifikuan pas 4 viteve dhe pasaportave diplomatike iu dogj afati. Tani është koha që të rivihet afati dhe do të përfitojnë edhe lojtarët që do ta kenë për herë të parë këtë pasaportë. Do të jenë ambassador të Shqipërisë.
Hysaj: Mirëmbrëma të gjithëve! Ta kontrolloj një herë pasi nuk i dihet. Hysaj, Elseid.. po unë jam, faleminderit. Ndoshta e humbim prapë siç kemi humbur tjetrën Dua t’ju falenderoj të gjithëve, presidentin, kryeministrin. Nuk do të jetë vetëm kjo, por do të kemi të tjera në Gjermani, nuk i dihet. Për mua është një emocion i dytë kualifikimi në Euro 2024. Është një kënaqësi tani që jemi në këtë grup të ‘lehtë’ që na ra, por unë kam besimin se do të bëjmë më të mirën tone dhe do të bëjmë një tjetër ëndërr realitet.
Edi Rama: E sheh atë zotërinë me këmishë të bardhë që po ta bën me dorë? Për pasaportë gjermane apliko te ambasada gjermane.