
Luftëtari do të udhëtojë sot në transfertë ndaj Lushnjes për të zhvilluar takimin e javës së 18- të të kampionatit në Superligë, në orën 13:00. Të besuarit e Hasan Likës do të kërkojnë të vazhdojnë suksesin në kampionat pas rezultatit pozitiv të arritur një javë më parë ndaj Skënderbeut.
Disfata në Laç, në çerekfinalen e Kupës, ku gjirokastritët humbën me rezultatin 3-0, ka bërë që Lika të kërkojë nga përballja e sotme ndaj lagunarëve patjetër rezultat pozitiv. Trajneri është gjendur disi në vështirësi pasi sot do të ketë tre mungesa.
Pas konfirmimit të Lamçes dhe Rrapës, mësohet se as Dejvi Bregu nuk do të jetë i gatshëm për transfertën e sotme. Bregu nuk është grumbulluar me lejë të klubit për arsye familjare. Të gjitha këto boshlliqe bëjnë pak konfuz Likën i cili nuk i ka pritur tre mungesa për ditën e sotme. Lika do të jetë i detyruar t'i zëvendësojë për të plotësuar formacionin titullar që ai mendon se mund të korrë sukses sot në Lushnje.