
Opinion nga Gjergj STEFA
Në Lagos, Nigeri, jetojnë 8 milionë banorë. Futbolli në atë qytet luhet kudo dhe fëmijët vendas kanë një ëndërr që ndonjëherë del nga sirtari: Europë!
Edy-Nicolas Boyom, qendërmbrojtësi i Luftëtarit pothuajse ia ka dalë. Për momentin luan në Shqipëri, por Limasol, qipriotët që e sollën këtu, tani janë gati të paguajnë 80 mijë euro për ta pasur sërish.
Nuk janë pak para, gjithë dhe gjithë buxheti i këtij klubi është diku te 300 mijë euro. Boyom është i fortë, një qendërmbrojtës tipik, një nga ata që bien në sy menjëherë dhe që me siguri të ardhmen do ta ketë sërish jashtë Shqipërisë.
Nga i njëjti kontinent vjen dhe Reginaldo, një sulmues modern, elegant dhe i lëvizshëm. Ai ka lindur në Mozambik, në të shkuarën koloni portugeze, vendlindja e Eusebios së famshëm, frymëzimi i milionave të rinjve që tek ish-lojtari i madh shihnin të ardhmen e tyre.
Reginaldo sezonin e shkuar luajti në Portugali ku shënoi gjithsej 4 gola, ndërsa në Shqipëri ka shënuar gjashtë. Në Gjirokastër të thonë se kanë refuzuar oferta deri në 100 mijë euro për të.
Kompania që i ka sjellë në Shqipëri është një e tillë menaxhimi greke, e njëjta kompani që thuhet se ka propozuar dhe trajnerin Milinkoviç, një serb, i cili në të shkuarën kishte drejtuar në kategorinë inferiore të vendit të tij. Në gusht askush nuk besonte te ky njeri, por sot është i vetmi i huaj që ka mbijetuar në këtë kampionat.
Sormani, Agostinelli, Çevolli, Beggi dhe Troisi janë shkarkuar. Milinkoviç u shpall njeriu i vitit në Gjirokastër, ndërsa skuadra e drejtuar prej tij ka grumbulluar 22 pikë, 5 më pak se Tirana dhe ka shënuar 16 gola, po aq sa bardheblutë dhe madje dhe kampionët e Skënderbeut.
23 golat e pësuar rëndojnë, por duhet theksuar se 5 i kanë marrë vetëm në një ndeshje, atë të dytën e fazës së parë kundër Flamurtarit, dita e vetme jo, për ata që pas 2 fazave janë konsideruar me të drejtë surpriza e këtij kampionati. Sigurisht jo vetëm pikët.
Opinioni publik duhet t’i kërkojë falje këtij klubi. Qoftë dhe se lojtarët nuk ishin shumë të njohur, qoftë dhe se buxheti ishte i ulët dhe qoftë edhe sepse në përgjithësi është krijuar klima se kush vjen nga Kategoria e Parë në fund të edicionit e rimerr “ashensorin” për të zbritur një kat më poshtë.
Njerëzit nuk besonin. Ata kanë habitur në fakt dhe veten.
Kanë luajtur një futboll tërheqës, shumë të bukur për t’u parë dhe kanë ndalur këdo, madje dhe skuadrat kryesuese. Për pak harruam në 4 javët e para nuk kishin as fushë dhe stadium.
U bë praktikisht gjithçka nga e para. Presidenti quhet Grigor Tavo, prej vitesh sponsorizues i ekipit.
Vëllai i tij Vangjel Tavo është deputet i njohur dhe familja ka raporte shumë të mira me biznesin që në fillim të viteve 90’. Për çmendurira financiare nuk bëhet fjalë, dhe ajo na duhej, në Gjirokastër asnjëherë paraja nuk është hedhur kuturu.
Grigori është shumë tifoz dhe si gjirokastrit që është, vetëm futbolli mund ta bëjë që të mbyllë ndonjë aktivitet biznesi me humbje. Dhe për pak kohë ama, sepse lojtarët e afruar të japin garanci që në të ardhmen diçka mund të dalë nga shitja e tyre.
Mund të jetë sigurisht një rastësi, por në ekip nuk ka asnjë gjirokastrit dhe këtu sheh futbollistë që kanë 2-3 vite që luajnë bashkë. Albano Aleksi vjen nga Fieri dhe Behar Ramadani nga Veriu i Shqipërisë, konkretisht Shkodra, ndërsa Kristal Abazaj u mor një vit më parë nga skuadra e Elbasanit pasi i ndëshkoi në kampionat e sipër.
Dejvi Bregu është vlonjat, që kushedi pse atje në Vlorë nuk besuan asnjëherë tek ai. Së fundmi kanë marrë dhe sulmuesin Eri Lamçja, një elbasanas, që sidomos sezonin e shkuar u konsiderua si zbulim teksa luante me Teutën.
Njeriu që rri pranë presidentit Tavo është Gentian Nora, ndërkohë që bashkia diçka ka bërë. Stadiumi u rikostruktua nga e para në pjesën më të madhe, ndërsa nga një vendim i Këshillit Bashkiak i kaluan 75% të aksioneve presidentit Tavo, duke e privatizuar klubin dhe duke e shndërruar kësisoj në një shoqëri të mirëfilltë tregtare.
Ambiciet kryesore për këtë sezon janë ende të qëndruarit në Superiore, por kur sheh që kanë mundur Tiranën, kanë barazuar me Kukësin, me Partizanin dhe Skënderbeun, ku i dihet ndoshta dalëngadalë, nëse nuk kanë drojë, diçka mund të bëjnë dhe më shumë. Stadiumi nuk është asnjëherë plot, por duhet kuptuar që në përgjithësi ai është disi i madh, i ndërtuar dhe projektuar që përpara 50 vitesh për kushtet dhe interesin e kohës.
Gjatë ndeshjeve ka “fair-play” dhe një numër të madh femrash nëpër shkallë. Për t’iu rikthyer talenteve që ka në ekip, Kristal Abazaj është një emër që do ta mbani mend gjatë.
20 vjeç, një vit më parë 7 gola me Elbasanin, këtë edicion vetëm 1 gol, por mënyra se si e luan futbollin është një mrekulli më vete. Dejvi Bregu është tanimë realitet, është 21 vjeç dhe në këtë kampionat ka shënuar 4 gola, një kundër Tiranës dhe një kundër Partizanit, njëri më i bukur se tjetri.
Bregu kish dalë në “breg” prej kohësh por në Vlorë nuk e morën në konsideratë. Në Gjirokastër një sezon më parë shënoi 7 gola në Kategorinë e Parë, ndërsa një emër për t’u marrë në konsideratë është gjithashtu Rapo, autor i një eurogoli kundër Kukësit në barazimin 2-2, në një ditë ku vendasit meritonin të shënonin të paktën dhe 3 gola të tjerë.
Rapo gjithashtu vjen nga Kategoria e Parë. Deri një sezon më parë luante në Burrel.
Sigurisht që jo gjithçka ka shkuar sipas parashikimeve. Andres Montero, një venezulian që ishte parashikuar si shpërthim, ka shënuar deri tani vetëm 1 gol.
A doni të mësohet si ndërtohet një skuadër futbolli, pa shumë shpenzime, me lojtarë të rinj, të fortë, të gatshëm për t’u përballur me tregun e kërkesave, me një bilanc financiar brenda logjikës dhe me një futboll gjithnjë dhe më shumë i bukur për t’u parë?
E keni parë se sa shpesh përmendet Luftëtari në çdo tribunë sportive të analistëve, që në gusht qeshnin kur Milinkoviç deklaronte që diçka do bëjmë?