
Nga Edi Oga
Pas derbit të kryeqytetit, mezi ia dola të çaj rrethimet policore dhe të marr rrugën për në shtëpi. Nuk kisha as më të voglin impuls të brendshëm të bëja sherr me ndonjë kundërshtar, sepse nuk kam të tillë. Ose më saktë kam me mijëra kundërshtarë, jo sportivë, por nuk kam ç'tu bëj. Janë idiotët e stadiumeve, të cilët nga ana e tyre janë viktima të mosdijes dhe mospasjes. Janë djem të rinj kryesisht të papunë që të gjithë pasurinë e kanë 'me vete': atlete, xhinse, një zinxhir në qafë, celularin dhe një paketë. Më 'të pasurit' e tyre kanë edhe një çelës makine gjithnjë me llampë të kuqe ndezur. Shkolla për ta ka qenë bezdia më e madhe dhe shumica e kanë thjesht kujtim të fëmijërisë. Mosdija dhe mospasja janë shkak dhe pasojë e frustrimit të tyre. E vetmja ditë ku ata marrin kënaqësi, ndihen të gjallë, ndihen të fortë, është dita kur duke u fshehur pas njëri-tjetrit, në grupe të mëdha të ngjashmish, kryejnë veprime të dhunshme ndaj pronës dhe personave të etiketuar si armiq, lehtësisht të dallueshëm prej bluzës apo shallit. E gjitha është një shfryrje. Reagim emocional dhe aspak racional. Një çlirim energjie i kotë dhe i dëmshëm i kontrolluar nga hormone që, nga ana e tyre, komandohen vetëm nga instikti. Ai i mbijetesës.
Unë nuk i urrej 'të dhunshmit' në stadiume, thjesht më vjen keq për ta. Për fat, pjesa më e madhe e tyre dalin në kohë nga kjo 'kënetë', sepse ndoshta jeta u përplas në fytyrë prioritete të tjera, mbase gjejnë edhe mundësi apo motive të ndryshme nga ai i 'lacit' në shkallët e stadiumit.
Për fat të keq, ushtria e gojështhururve dhe sherrxhinjve në shkallët e stadiumeve sa vjen e shtohet, sepse korrespondon me shkallën e polarizimit ekonomiko-kulturor të shoqërisë. Ndaj ne që shkojmë në stadiume për të parë topin dhe golat, duartokasim dhe nuk shajmë, jemi gjithnjë e më të paktë e u dukemi si 'debila'!
Jo shumë larg stadiumit, më vjen përballë një djalë trupvogël, i trembur dhe i çarë në kokë:
"O xhaxhi, se më ra celulari në tokë kur po zihesha, a e merr pak një numër? Është një shoku im me makinë. T'i them ku jam që të vijë të më marrë...06..!"