
Nga Ben Blushi
Sikur të kisha mundësi do bleja një klub futbolli në provincë, do ta ristrukturoja dhe do i lutesha shtetit të më ndihmonte t’ia shisja një arabi.
Rishitja e aseteve të ngordhura është super biznes. Arabët janë sot njerëzit më të uritur në planet, për të investuar në sport. Ata blejnë shkëlqimin e futbollit evropian. Sauditët dhe Katari por më vonë edhe të tjerët, po blejnë me rradhë të gjitha klubet më të mëdha të Evropës.
Natyrisht ne nuk mund t’ia shesim klubin e Peqinit një fondi saudit për 100 milion euro, as ekipin e Laçit një kuvajtjani për 70 milion euro. Për fat të keq këto klube nuk vlejnë as sa bonusi i një goli të Cristiano Ronaldos në Arabi.
Ato nuk kanë asnjë vlerë. Ajo që ka vlerë është përkatësia jonë evropiane. Ne nuk shesim makinën, shesim targën.
Të blesh Vllazninë nuk ka ndoshta asnjë përfitim financiar sot, por me pak investime ky klub mund të luajë me Milanin në Champions League, me Liverpoolin apo me Parisin.
Kjo do ishte një blerje prestigji për fondet e lira arabe dhe do t’i ngopte sa duhet deliret e tyre.
Arabët mund të blejnë Ronaldon për një paketë totale 1 miliard euro, por nuk e çojnë dot këtë idhull me 500 milion ndjekës në instagram, të luajë cdo javë me Juventusin, me Chelsea apo me Realin e Madridit dhe Barcelonën.
Por ekipet shqiptare e kanë këtë mundësi. Bashkitë e qyteteve tona duhet të gjejnë blerës për ekipet e tyre të rrënuara në Arabi në Kinë dhe kudo ku ka fonde të lira. Kryetarët e Bashkive duhet të jenë biznesmenë, në vend që të jenë hidraulikë dhe zjarrfikës.
Çdo gjë që është në Mesdhe shitet. Ky është tregu më i shtrenjtë i botës. Ata duhet t’i shesin klubet e tyre të futbollit qoftë edhe për 1 euro me kusht që të investohen. Atëherë Peqini mund të luajë me Realin në grupe, Elbasani me Interin dhe Dinamo me Arsenalin.
Imagjinoni çfarë do ndodhte në këto qytete sikur futbolli dhe universitetet të gjallëroheshin me investime të huaja. Çfarë qyteti do ishte Shkodra me pesë mijë studentë të huaj.
Tregu i qirave do shpërthente, restorantet e vogla do lulëzonin,pedagogët do paguheshin më shumë, bicikletat e dashura do dyfishoheshin, ndërsa stadiumi ku ekipi i Vllaznisë i blerë nga një arab mendjemadh do luante çdo javë me Romën, me Fenerbahcen, me Dortmundin dhe Marsejën apo me Manchester United do digjej në flakë.
Gjithë qyteti do merrte zjarr sa herë arabi të këpuste tespijet e çmendura pas një goli.
Sepse janë evropiane ekipet tona tona mund të luajnë me kë të duan, të gëzojnë çdo pronar arab që investon duke blerë lojtarë dhe ta çojnë në Manchester të haje darkë si i barabartë me Pep Guardiolën e përkëdhelur apo në Stamboll me Jose Mourinon grindavec.
Ky është çmimi i prestigjit evropian që në Shqipëri është ende low cost. E kush nuk do ta paguante një çmim kaq të lirë? Çështja është se askush nuk e di, sepse askujt nuk i thuhet.
Arabët nuk e dinë që klubet tona shiten për një copë bukë, siç nuk e dinë indianët që mund të studjojnë në universitetet tona me një mijë dollarë në muaj. Ne bëjmë muhabet, por nuk bëjmë marketing.
Shqipëria vazhdon të jetë një thesar i mbuluar me kujdes nga biznesmenët e saj mendjengushtë. Ata duhet të kuptojnë se ka ardhur koha për të zgjeruar tregun tonë të vogël. Ka ardhur koha për të shitur lirë gjërat e shtrenjta që nuk duhen.