Nga Gerti Çarçani
Shkodra largoi një fisnik!
Vllaznia shpërdoroi një vlerë...!
Profesor Qatip Osmani nuk është më trajner i Vllaznisë. Një sinjal i orëve të mbrëmjes së djeshme ma percolli si fakt, por nuk doja kurrë ta besoja! Por, paskësh pasur të drejtë zotëria...Shkodra "zboi" një fisnik në pankinë!
Për të ardhur keq! Për fisnikërinë, urtësinë dhe qetësinë e tij në komunikim e jo vetëm, profesor Qatip Osmani detyrohet të largohet! Ose ia imponojnë të ikë!
Nuk di ç'ka ndodhur dhe po ashtu nuk kuptoj pse Albani shkoi deri në extrem, pak javë përpara verdiktit të madh të Final 4! Natyrisht që trajneri matet me rezultate, por klasifikimi e lë sërish të dytën në 4 javë nga mbyllja. Me nje Final 4 thuajse të siguruar, Presidenti një mbrëmje të vonë prilli e bind njeriun e urtë të ikë nga Shkodra!
Shumë respekt e konsideratë për profesor Qatipin, që bëri shumë më tepër se shumëkush priste në ato rrethana që punoi, ndoshta i cënuar nga arsye të jashtme që kurrsesi dhe asnjëhere nuk i hodhi për konsum publik!
E mund të jenë arsye bazike, dhe mbase jo një. Ose ndoshta s'ka fare...!!!
Vërtetë Vllaznia mbylli portën e Kupes për finale, dhe e eliminoi Egnatia që nuk e kishte për herë të parë që kjo skuader e mundte, por kampionati është sërish flakë e gëlon me pritshmëri!
Por, siç edhe ndodhi Albani zgjodhi të mos e lëre profesorin më deri në fund! Është e drejtë e tij! Dhe më mire se ai nuk e di askush!
A bëri mirë apo keq, fundi i sezonit do ta dëshmojë më shumë!
Final 4 do të dëshmojë nëse vërtetë ishte profesor Osmani pengesa kryesore. Ai që në 10 javë u shndërrua në hero të veriut dhe njeriut më të dashur të vetë shkodranëve të lidhur pashmangshmërisht me futbollin!
Diagnoza e largimeve të trajnerëve mbetet ende pa recetë shëruese por veprimi i presidencës shkodrane për largim të trajnerit në finish të sezonit mbetet një tjetër rekord i shtuar.
Profesorin e njoha vetëm nëpërmjet lidhjeve direkte me emisionin pas ndeshjeve! Nuk e kisha shok si paraardhësin e tij! Që edhe Migenin pak e lanë të punonte, por tjetër histori ajo...
Mendoj se profesori i larguar mbrëmë ishte një vlerë e shtuar për Vllazninë për aq sa ndejti e punoi!
Jo, nuk mendoj. E kam bindje!
Albani, edhe pse 4 javë nga fundi, gjykoi që dikush tjetër do e çojë Vllazninë me fron kampioni! Uroj për të, që të jem unë gabim! Tërësisht! Mbetet për t'u parë! Që këtë javë...në Rrogozhinë. Sërish!
E sidoqoftë desha shumë t'i shkruaja ca rreshta për profesorin!
Nuk është fundi i botës largimi i tij, por mbetet e njëjta melodi qasja karshi tij! Për çudi sërish në Shkodër!
Uroj që presidenti në këtë levizje "skakiere" në ekstrem të kohës, zgjedhja e re t'i motivojë atë që mendoi të bënte e bëri, por mbase nuk deshi ta bënte...
Vllaznia është ende kandidate potenciale për titull përsa kohë klasifikimi flet pastër! Frika e mbërritjes së rivalëve në oborrin kuqeblu të vendit të dytë nuk e largon Vllazninë nga Final 4, por largoi profesorin e urtë nga pankina me shumë "grerëza" që detyruan mbase Albanin të çedojë për herë të dytë në këtë kampionat, drejt trajnerit të tretë...!
Shumë Respekt, Profesor Qatip Osmani!
Suksese pasardhësit të tij! Për një gje do jetë i sigurtë: Sezonin do e mbylle!