Nga Ermal Spahiu
S’duhet t’i honepsim skuadrat e vogla në Botëror. Kështu së paku e kishim krijuar idenë se në skenën më prestigjioze të futbollit botëror ka vend vetëm për të mëdhatë, pretendentët, emrat me histori dhe kombëtaret që e njohin mirë peshën e fanellës, sidomos mentalitetin e kampionit. I tillë u ndërtua perceptimi ynë sportiv. Gabuam! Nuk ditëm ta kuptonim siç duhet “barazinë” mes kombeve.
Realiteti i fushës po vazhdon pa u ndalur t’i rrëzojë paragjykimet. Diferencat janë ngushtuar ndjeshëm, ndërsa organizimi, disiplina taktike dhe besimi kanë filluar të peshojnë po aq sa historia dhe trofetë. Sot, një fanellë me më pak traditë nuk do të thotë domosdoshmërisht edhe një skuadër më e dobët.
Nënvlerësimet ishin pjesë e pandashme e “terrenit” të argumenteve, e mandej na përplasej në “fytyrë” e vërteta e pashmangshme se kombëtaret që kanë të drejtë të ëndërrojnë dhe besojnë, mund të thyejnë çdo mit: të pamundshmen! Sot eliminimi “përpiu” Gjermaninë dhe Holandën, dy skuadra kombëtare që pretendonin të shkonin larg këtij turneu.
Ato janë prova më e fundit. U ndalën nga Paraguai dhe Maroku, dy skuadra që hynë në këto sfida pa komplekse inferioriteti, por me bindjen se mund të shkruanin historinë e tyre. Nuk fituan nga hiçi. E prenë “biletën” e avancimit më tej sepse besuan, luajtën pa frikë dhe treguan se në futboll reputacioni nuk e ka bazën vetëm te shënimi i golave. Dhe në fakt kështu bënë, askush s’i ndali, as paragjykimet, madje as miti.
Madje, ky nuk mund të trajtohet më si një fenomen i izoluar. Maroku po dëshmon se rrugëtimi historik në Botërorin e vitit 2022 nuk ishte një rastësi, por rezultat i një projekti që po vazhdon të japë fryte. Nga ana tjetër, Paraguai rikthehet mes skuadrave protagoniste, duke treguar se organizimi dhe identiteti i lojës mund të rivalizojnë edhe kundërshtarët me më shumë histori.
Shenjat e Botërorit po duken që tani! Madje do të vazhdojnë të lënë gjurmë edhe tek sfidat e tjera që priten me të njëjtat emocione, “dyshime” dhe sigurisht, risqe. Në fazën me eliminim direkt kjo diferencë bëhet edhe më e vogël. Një episod, një penallti, një pritje vendimtare apo një gabim i vetëm mund të ndryshojë fatin e një kombëtareje. Pikërisht për këtë arsye, emri në fanellë nuk mjafton për të garantuar kalimin në fazën tjetër.
Deri në finalen e 11 korrikut priten ende histori të tjera, surpriza dhe mite që mund të bien. Sepse ky turne po na mëson një leksion që ndoshta duhej ta kishim kuptuar prej kohësh: në fushë nuk zbresin trofetë, statistikat apo historia. Në fushë zbresin njëmbëdhjetë futbollistë kundër njëmbëdhjetë të tjerëve. Dhe në momentin që arbitri fishkëllen fillimin, nuk ka më të mëdhenj e të vegjël. Ka vetëm skuadra që besojnë se mund ta bëjnë të pamundurën, të mundur.
