Legjenda e Flamurtarit dhe Shqipërisë, Sokol Kushta, ka qenë i ftuar në emisionin “Mega Sport” në A2CNN. Ai ka folur me tone të ashpëra për dy javët e fundit të Superiores, ku sipas Kushtës po luhet kumar dhe bixhoz, deklaratë e fortë:
“Nuk doja të vija se nuk ndihem mirë, çfarë analize të bëj këto dy javë që kam parë qëkur u ktheva nga Italia. Më vjen turp, që çfarë do analizoj dhe vetëm se dhashë fjalën erdha sot.
Do mundohem të jem sa më i drejtë dhe origjinal, që të paktën të them mendimin tim. Është e jashtëzakonshme, të dyja këto javët. Nuk duhet të ndodhin në futboll. Ka tek-tuk dhe jashtë lënie ndeshjes ose ndihmon një ekip.
Po të jetë i gjithë kampionati, të paktën 2-3 javë. Kjo është zhgënjyese. Se unë nuk e di në futboll, të ketë ndonjë ekip që të arrijë të kthejë borxhin ose nderin një ekipi tjetër. Nuk duhet të ekzistojnë në këto përmasa. Jo se nuk ekzistojnë, por nuk duhet në këto përmasa. Unë jam i zhgënjyer.
Flamurtari fitoi? Shiko, është gëzim i trishtë. Unë dua të fitojë, e dua Partizanin dhe Flamurtarin që jam rritur te këto dy ekipe, jam burrëruar, më kanë dhënë prestigj dhe dinjitet. Por, këto lloj fitore dhe humbje nuk i dua.
Ta them me shpirt sepse futbolli nuk përfiton asgjë. Humbet, lojtarët nuk i ke më në kontroll. Kam qenë trajner, drejtor. Ika pas insistimit. Nuk më pëlqen që trajneri të marrë dirigjime sa duhet të dalë ndeshje. Të jetë kështu… nuk e konceptoj.
E kam shumë të vështirë të bëj… se këto nuk janë analiza tekniko-taktike. Janë analiza bixhozi dhe kumari, që unë nuk kam qenë asnjëherë në këtë vorbull ose tavolinë. Kurrë, dhe kur kam qenë trajner.
Dhe te Flamurtari, dhe tek Elbasani që kam pasur Arben Lazen president, i kishim ndarë detyrat. Eca me këtë motiv, jam ky që jam sot. Besoj që kam lënë një gjurmë. Jam jashtë sistemit, jo për mos dijen time, mos eksperiencë apo mos shkollim.
Jam për disa gjëra të tjera, që unë e kuptoj. Janë defekte në tipin tim, që jam jashtë programit. Nuk është faji im, por i atyre që më kanë lindur në këtë formë.
Kam pasur një respekt të jashtëzakonshëm këto 3-4 vitet e kaluara për Egnatian. Kisha krijuar idenë që është formuar një ekip në miniaturë dinjitoz. Me atë trekëndëshin e famshëm, president, trajner dhe menaxher. Sivjet, jam zhgënjyer dhe me plot gojë e them që dhe ky ekip u katandis si shokët.
Kur shikon Kategorinë e Parë dhe Superiore, shikon disa lëvizje të çuditshme. Destinacioni i të gjithëve a e di kush është? Kategori të Parë kanë shkuar të gjithë, po t’i shikosh. Mundohen, përshtaten dhe lobojnë, të gjithë destinacionin e kanë në Kategori të Parë. Nuk dal te fitimi ekonomik se nuk e di në kumar, sa dhe si fitojnë.
Di që futbolli humbet. Në radhë të parë të gjithë atë… Marrim për Vlorën, Fierin, për Partizanin. Ai stadium që ishte bosh kur u bë ndeshja, në një moment tjetër do ishin të paktën 10 mijë spektatorë. Unë i lexoj mesazhet, kam dhe miq, të zhgënjyer.
Siç kam dhe në Vlorë, të zhgënjyer. Dhe kur fitojnë zhgënjehen, se nuk i ëmbëlson kjo lloj fitore. Ato lojtarë që i dirigjon në këtë drejtim, ti nuk i ke më. Pastaj thonë se ky lojtari shet, por ti e ke bërë të shesë. Ti e ke ndërtuar të tillë”.
