
Sigurisht larg, nga Shkodra e Vllaznia, nuk kam tagrin të gjykoj me kompetencë për atë vendim që kryesia e klubit të futbollit Vllaznia ka marrë në pasdrekën e një ditë më parë, për pezullimin e kontratës me trajnerin gjerman Thomas Brdariç. Por, duke e ndjekur skuadrën e zemrës time Vllazninë, nëpërmjet mediave, nuk e vë në dyshim se ecuria e Vllaznisë ka lënë për të dyshuar, për të arritur objektivin për titull kampion ose më së paku një vend në Kupat e Europës.
Luhatjet kanë qenë të përsëritura, barazimet në “Loro Boriçi” disi të pajustifikuara. Por, përpara shkohet në një vendimmarrje të tillë, do të bëja një pyetje: Çfaj ka trajneri Brdariç që Latifi humbet një 11-metërsh, kur fare mirë Vllaznia do të ishte në avantazh 2-0 dhe ndeshja me siguri që do të kishte rrjedhë tjetër?
Pastaj nëse trajneri Brdariç ishte paralajmëruar se një humbje me Tiranën që pothuajse e ka siguruar titullin kampion, e nëse në Shkodër e vuloste, jo vetëm ai. Por, edhe i gjithë ekipi është vënë dy herë përpara një presioni disi të pastudiuar nga kryesia e Vllaznisë. Me sa më kujtohet tek Vllaznia në vite, kuptohet në vitet e demokracisë, se në kohën e diktaturës komuniste, shkarkimet e trajnerëve janë bërë me urdhër të komiteteve të partisë së punës, janë bërë jo pak herë shkarkime të justifikuara si në rastin e trajnerit Dervish Haxhiosmanoviç, Hysen Dedja (pikërisht në një humbje me Tiranën në “Loro Boriçi”), bile kjo e Dedjës ka qenë dorëheqje, por jo në kushte luksi si kjo e gjermanit Brdariç.
Them se ishte luksi pasi ishte ky trajner, Thomas Brdariç që i riktheu Shkodrës futbollin e vërtetë, pas shumë dallgëzimesh, largime të trajnerëve të kërcënuar e të vënë përballë skenave mafioze, që brenda një sezoni ishte në finish të titullit kampion duke u diskutuar me golavarazh me Teutën, fitoi Kupën e Shqipërisë, u shpall Njeriu i Vitit, trajneri më i mirë i vitit. E këto mos harrojmë, i arriti kur kishte guxuar në mes të sezonit të dorëhiqej por me kërkesën e futbollistëve, ai u rikthye pa ndjerë distancim nga dashuria për Shkodrën e Vllazninë.
Presidenti Xhaferi që mori përsipër administrimin e Vllaznisë nga Bashkia, ka bërë investime në mjaft drejtime e për këtë duhet përgëzuar, ka bërë një merkato që e ka bindur për momentin, por nuk ka qenë dhe aq përfekte. Në këtë moment më duket se është nxituar me largimin e Brdariç. Dhe në të tilla raste kur shkarkohet për mosrealizim objektivash, së bashku me trajnerin ikën i gjithë stafi. Ndoshta është shpejt për të kaluar në të tilla aventura. Dhe dy fjalë për zëvendësuesin e Brdariç, shkodranin Elvis Plori.
Nuk ka pse të nxitohemi për të dhënë opinione, pasi edhe ai do të jetë i ndërgjegjshëm për të ndarë si sukseset edhe dështimet me kolegun e tij Brdariç. I mbetet detyrë të realizojë në këtë periudhë kohe atë ndryshim që kërkon presidenti Xhaferi dhe mbi të gjitha t’i dalë për Zot kalimit të Vllaznisë në finalen e Kupës së Shqipërisë, duke besuar në eleminimin e Partizanit dhe pastaj kurorëzimin e finales.
Uroj që të jetë ky suksesi i stafit të ri Plori-Miloti. Por, Thomas Brdariç a do të jetë ndoshta jo fizikisht pranë Vllaznisë, Shkodrës e tifozërisë shkodrane? Me zemër besoj se po, pasi mbresat e kujtimet, pse jo dhe miqësitë që afroi dhe i afruan do ta mbajë të lidhur me këtë histori sportive që ka si sentence thënien epike: “Erdha, pashë dhe fitova”. /Namik Mehmeti/