Emisioni i 29-të i “Në Shtëpinë e Futbollit” u transmetua live në FSHF TV, duke sjellë një panoramë të plotë të aktualitetit të futbollit shqiptar, me theks te paraqitjet e shkëlqyera të legjionarëve dhe momentet vendimtare të sezonit në “Abissnet Superiore”.
Nën moderimin e Lenida Halilaj, të ftuar në studio ishin Drejtori i Departamentit të PR dhe FSHF TV, Fatjon Kodra, si dhe gazetari dhe komentatori i FSHF TV, Jurgen Zela. Diskutimet u përqendruan te forma e mirë e futbollistëve shqiptarë jashtë vendit, të cilët po spikasin në kampionatet ku aktivizohen.
Kristjan Asllani ishte protagonist me gol dhe asist për Besiktas, ndërsa Qazim Laçi realizoi gjithashtu gol dhe asist për Rizespor. Indrit Tuci u rikthye te goli në Turqi, ndërsa në Rusi, Mirlind Daku shënoi për Rubin Kazan, me Nazmi Gripshin që kontribuoi me asist. Arbër Hoxha gjeti rrugën e rrjetës me Dinamo Zagreb, ndërsa Myrto Uzuni vijon formën e shkëlqyer në MLS, duke shënuar sërish për Austin dhe duke qenë një nga lojtarët më të spikatur. Një tjetër arritje e rëndësishme erdhi nga Anis Mehmeti, i cili siguroi ngjitjen në Premier League me skuadrën e tij.
Emisioni pati edhe një lidhje direkte me Myrto Uzunin, i cili foli për sezonin e tij shumë pozitiv, objektivat me klubin dhe pritshmëritë me Kombëtaren në ndeshjet e ardhshme.
Në fokus ishte edhe Kombëtarja shqiptare, që ka zyrtarizuar një ndeshje miqësore ndaj Izraelit, si dhe Kombëtarja U-21, e cila do të përballet me Italinë në një tjetër test të rëndësishëm ndërkombëtar.
Në analizën e kampionatit “Abissnet Superiore”, u diskutua për “Final Four” dhe lufta për mbijetesë, ku disa skuadra vijojnë të jenë në garë të fortë dy javë nga përfundimi i sezonit.
Në emision u fol edhe për momentin e rëndësishëm në Kategorinë e Parë, ku Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, dorëzoi titullin për ekipin kampion të Laçit, duke përmbyllur një sezon të suksesshëm.
