
Ekipi më i vjetër i Shqipërisë, ekipi që vitin tjetër në datën 16 shkurt feston 100 vjetorin e themelimit, Vllaznia me shumë mundësi sezonin tjetër do luajë në Kategorinë e Parë. Humbja në shifrat 2-0 kundër Partizanit dhe fitoret e rivalëve të Kamzes dhe Teutes e bëjnë thuajse të pamundur mbijetesën dhe vetëm një mrekulli mund të shpëtojë shkodranët.
Por për ta 'rënduar' ndoshta edhe më tepër situatën në këto momente shërben edhe dorëheqja e Ernest Gjokes. Trajneri ka komunikuar largimin pas humbjes së sotme dhe nuk u prononcua as për mediat. Kapiteni i anijes e 'braktis' atë pikërisht në momentin kur uji ka hyrë në të gjitha anët dhe ajo po përmbytet.
Nuk duhej të ndodhte kështu. Kjo pasi Gjoka kishte respektin e të gjithëve në Shkodër, ishte ndoshta edhe më i priviligjuar se parardhësit e tij. E përkrahën edhe në momentin kur pati 'konflikt' me gazetarët lokalë të Shkodrës e sot largohet si një 'frikacak'. Ishin pranë Gjokes edhe kur u sulmua me thikë, e për çudi nuk u largua nga Vllaznia në atë moment ku edhe nëse largohej do ishte e kuptueshme. Në Shkodër do mbahet mend si trajneri që rrëzoi Vllazninë, por jo vetëm Gjoka, por edhe lojtarët, ata që kanë mbajtur veshur fanellën e një prej klubeve më legjendare.
Të gjithë do shënohen me një njollë të zezë në historinë e artë të kuqebluve. Largimi i tij nuk i shërben askujt. Ndoshta edhe po të qëndronte Vllaznia nuk do mbijetonte, por duhej të ishte aty, deri në fund, deri në sekondën e fundit të sezonit dhe të mbante përgjegjësitë. Ato përgjegjësi që i takojnë sepse nuk është faji i tij që Vllaznia përpëlitet prej 4-5 vitesh dhe duket se tani fundi ka ardhur. Tashmë duhet një riformatim, jo vetëm në aspektin sportiv, por edhe në atë njerëzor dhe drejtues te 9 herë kampionët e vendit. /Endri ÇINARI/