
Sadio Mane pritet të marrë numrin 10 te Bayern Munchen, numër që aktualisht mbahet nga gjermani Leroy Sane. Megjithatë, anësori gjerman duket se është mëse dakord që t’ia dhurojë fanellën me numrin 10 afrimit më të ri të bavrezëve.
Ka qenë i ati i Sane ai që ka konfirmuar se djali i tij do i dhurojë numrin 10 Sadio Mane. Sulejman Sane, babai i Leroy, ka thënë se Mane është lojtar i madh dhe se është i sigurt që nëse kërkon numrin 10, djali i tij do ia japë.
“Sadio Mane është i njohur me numrin e tij 10 te Liverpuli dhe në kombëtaren e Senegalit, ndërsa te Bajerni këtë numër e mban tim bir”, tha fillimisht babai i Sane për “Radio Futurs Medias”. Më pas, Sulejman Sane shtoi: “Por nëse Sadio e do numrin 10, atëherë unë jam i sigurt se nuk do të kishte asnjë problem për Leroin që t’ia jepte”.