
Drejtori i Erzenit, Alfred Deliallisi dha një prononcim për MCN TV në prag të sfidës me Vllazninë në Kupën e Shqipërisë. Deliallisi vlerësoi maksimalisht këtë ndeshje si një mundësi për trajnerin Bejzade të njohë më mirë ekipin. Megjithatë, fokusi total është në kampionat ku e pret një finale me Kukësin të dielën.
“Nuk është se më mban roli te Erzeni, por për t’u shërbyer ekipit për të mirën e tij. Ne e kemi vlerësuar kupën, edhe trajneri do të shohi elementët që ka. Duke parë formacionin kemi vlerësim maksimal për Kupën.
Mendojmë për ndeshjen e sotme për moralin për të rritur besimin pas humbjes. Kemi punuar me gjendjen psikologjike, na pret një sfidë shumë e vështirë të dielën që do të shkojmë gjithçka për gjithçka. Besojmë se do të fitojmë, ndeshjet janë dhe e kemi vetë në dorë.
I gjithë ndryshimi i lojtarëve, të rinjtë duan kohën e tyre pasi nuk kishin minuta. Tani kemi të njëjtn formacion me pak ndryshime si në fazën e parë. Mihana është i dëmtuar, Hasanbelliu tani është kthyer, e pamë me Tiranën se sa rëndësi ka ai për ekipin.
Kemi punuar nga ana psikologjike me lojtarët dhe kjo është një ndeshje që duhet t’i ndihmojë ata edhe profesorin që të ketë idetë e qarta për ndeshjen me Kukësin e në vazhdimësi. Por, duke qenë se është Vllaznia, pse të mos e vlerësojmë maksimalisht.
I them profesor Bejzades pasi është i pari i ekipit. Secili vlerësohet me rezultate. Në studio kam thënë që nuk i fshihem përgjegjësive, nëse e bëj largohem direkt. Unë do të bëj maksimumin tim për ekipin”, tha Deliallisi.