
Vedat Muriqi ishte një nga afrimet e Lazios gjatë merkatos së verës. Sulmuesi shqiptar u largua nga Fenerbaçe në drejtim të Serie A për një shumë rreth 18 milion euro, por nuk ka bërë ende debutimin e tij për shkak të një dëmtimi dhe prej infektimit nga Covid-19.
Muriqi është rikuperuar plotësisht dhe në fundjavë pritet të zbresi në fushë, ndërsa sot është prezantuar përpara mediave duke u shprehur se nuk do të jetë Ibrahimovici i Lazios, por do të jetë Vedat Muriqi. Gjithashtu sulmuesi ka "ndezur" derbin ndaj Romës duke u shprehur se Lazio është ekipi i parë i Kryeqytetit.
"Jam i nderuar që jam këtu, do të bëj më të mirën. Unë do të jem Muriqi i Lazios, jo Ibrahimovic i Lazios . Ekzistojnë ndryshime midis lojës në Turqi dhe Itali. Unë do të bëj më të mirën time, do të luaj me këtë ekip për të arritur qëllimet tona. Personaliteti im është të ndihmoj ekipin të arrijë gjithçka që ata dëshirojnë ".
Objektivat personal?
"Unë nuk dua të ketë presion mbi mua, unë e dua lojën ekipore më shumë sesa të jem individualist. Unë do të bëj çmos për të ndihmuar ekipin brenda dhe jashtë fushës. Qëllimi? Presioni më lejon të arrij sukses, por unë nuk vendos kufizime apo qëllime. Qëllimi im i vetëm është të jap gjithmonë 100%. Jam në një nga klubet më të mëdha në Itali, në ekipin e parë të kryeqytetit. Unë dua të jem aq i madh sa ekipi im ".
Zgjedhja e Lazios?
"Në verë pata shumë oferta, zgjodha Lazion për stilin e lojës dhe për faktin se drejtori sportiv vjen nga Shqipëria . Lazio ishte opsioni më i mirë për mua, është një nder që jam këtu. Të luash me Ciro Immobile, golashënuesin më të mirë në Europë, është një ëndërr. Unë do të bëj gjithçka që është e mundur për të mësuar prej tij, dhe do të përpiqem ta mbështes atë brenda dhe jashtë fushës për ta lejuar atë të shënojë shumë më shumë gola ".
Karakteristikat dhe derbi i Lazio-Roma?
"Nuk më takon mua të them rolin e duhur për karakteristikat e mia, trajneri e di se cili pozicion do të jetë i duhuri për mua. Do të përpiqem të bëj gjithçka për të ndihmuar ekipin edhe në mbrojtje. Derbi i Romës është i njohur në të gjithë botën, madje edhe në Turqi ndiqet. Jam i lumtur dhe mezi po pres ta luaj. Kur mbërritën shumë tifozë më shkruajtën, unë u thashë atyre se do të bëj më të mirën. Unë gjithmonë do ta vesh fanellën me nder, atëherë gjërat në fushë mund të shkojnë pak a shumë mirë, por gjithnjë do të jap gjithçka ".