Armend Thaqi ka folur pas fitores 4-3 në transfertë kundër Sivasporit, ndeshje e vlefshme për fazën e grupeve në Conference League.
Një ndër më të mirët në fushë në radhët e Ballkanit, tregoi edhe një herë se e meriton shiritin e kapitenit në krahë.
Pas ndeshjes, Thaqi ka folur për mediet e Kosovës duke treguar objektivin, kalimin e grupeve. Në fjalën e tij, mbrojtësi i linjës së djathtë është i qartë kur thotë:
"Ndeshjen e filluam në mënyrën më të keqe të mundshme. Mirëpo këtu tregohet kualiteti i ekipit. Kemi shumë kualitet në ekip dhe e përmbysëm rezultatin. Mund të them lirisht që ne e rikthyem në lojë Sivasporin me gabimet tona. I falëm 2 gola. Mirëpo Zoti na ndihmoi sepse shënuam dhe golin e katërt. Deri sot kemi thënë që jemi të kënaqur me këta arritje. Por, ndeshja e sotme na ka çelur shumë rrugë. Kemi kualitet për të bërë diçka më të madhe se pjesëmarrja në grupe. Shpresoj që dhe në ndeshjen e kthimit në Prishtinë të vazhdojmë në këtë mënyrë"