Drejtuesit e klubit bardheblu kanë nisur të mendojnë për sezonin e ri dhe zbatimi i projekteve për të ardhmen ka nisur. Ajo që pritet të ndodhë pikë së pari te Tirana është mbyllja e marrëveshjes me trajnerin Ze Maria për të vijuar më pas me rinovimet dhe afrimet e lojtarëve të rinj.
Edhe pse mes trajnerit dhe presidentit Refik Halili ka patur takime, ende nuk ka diçka zyrtare lidhur me të ardhmen e teknikut në krye të skuadrës kryeqytetase. Këto ditë pritet të merret dhe vendimi zyrtar, për t'iu lënë më pas rrugën të lirë projekteve për ndërtimin e skuadrës për sezonin e ri.
Mësohet se Ze Maria ka kërkuar nga 2 lojtarë për çdo repart, gjithmonë pa luajtur boshtin e ekipit që është aktualisht. Mësohet se në kampin bardheblu po punohet dhe me rinovimet, siç është rasti i Majkëll Ngoo-s, Asion Dajës dhe Dorian Kërçikut.
Planet janë të qarta, e vetmja lëvizje që mban peng gjithçka është konfirmimi i trajnerit në krye të skuadrës për sezonin e ri, vendim ky që iu hap rrugën të gjitha lëvizjeve të tjera te Tirana.