Një sherr brenda fushës së lojës në Superligën e Kosovës, ndërmjet futbollistit të Dritës, Dren Gashi dhe atij të Hajvalisë Valon Avdullahu për pak sa nuk përfundoi me një fund fatal në dhomat e zhveshjes.
Gashi e ka kërcënuar me thikë në fyt Avdullahun në dhomat e zhveshjes, i cili në një rrëfim ekskluziv për Gazetën Sheshi tregon gjithë rastin.
“Kemi patur disa kacafytje brenda fushës së lojës, ndërkohë që unë i kam dhënë dorën pas ndeshjes por ai erdhi me thikë në dhomat e zhveshjes dhe më kërcënoi duke ma vënë në fyt. Jam i shokuar, pasi këso rastesh nuk më kishin ndodhur asnjëherë në jetë”, deklaroi Avdullahu.
Mbrojtësi i krahut të majtë tek Hajvalia gjithashtu ka bërë edhe denoncim edhe në Policinë e Kosovë, derisa organet kompetente pritet të merren me rastin.
“Rastin e kam lajmëruar në Polici dhe kam bërë padi ndaj Dren Gashit. Tani rasti u mbetet atyre”, theksoi Avdullahu.
Gashi i kishte kërkuar falje më pas Avdullahut, por gjithçka duket të jetë vonë pasi edhe klubi i Dritës pritet të marrë masa ndaj futbollistit.