
Ekipi i Tiranës vazhdon përgatitjet për gjysmën e dytë të sezonit. Bardheblutë po e zhvillojnë fazën përgatitore në kryeqytet që të jenë të gatshëm për derbin ndaj Dinamos.
Ndryshe nga disa ekipe të tjera të elitës, Tirana ende nuk ka zhvilluar një ndeshje miqësore, teksa mësohet se me shumë mundësi nuk do të ketë një të tillë. Me Julian Ahmatajn në krye që u konfirmua në stolin bardheblu, ekipi kryeqytetas do të presë 12 janarin për të luajtur derbin përballë Dinamos, pa zhvilluar asnjë test miqësor.
Kujtojmë që Julian Ahmataj u ul në pankinën bardheblu më 5 tetor të 2023-shit, duke i zënë vendin Orges Shehit. Refik Halili ia besoi përsëri ekipin Ahmatajt duke e konfirmuar në stol, vendim në të cilin ndikoi edhe fitorja me goleadë ndaj Egnatias.