Agim Ademi merr mandatatin e dytë si president i Federatës së Futbollit në Kosovë dhe do të qendrojë në këtë post edhe për 4 vitet e ardhshme. Ditën e sotme është mbajtur Asambleja Zgjedhor për zgjedhjet e presidentit dhe Ademi i cili kandidonte i vetëm mori 42 vota nga 58 në total. 43 delegatë ishin të pranishëm në sallë, 42 votuan Ademin, njëri absentoi, ndërsa 15 të tjerë vendosën të bojkotonin këto zgjedhje. I pranishëm në zgjedhjet e sotme në Kosovë ishte edhe presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka i cili mbajti edhe një fjalim.
“Është një nder për mua që të jem i pranishëm me disa figura të njohura të sportit në Kosovës, po ashtu edhe me përfaqësuesit e dërguar nga FIFA dhe UEFA. Dua t’i përshëndes të dërguarit e presidentit të UEFA-s, Aleksander Çeferin, që shumë shpejtë pritet ta vizitojë Kosovën për t’i parë nga afër zhvillimet në infrastrukturë. FFK është një organizatë që mund t’i menaxhojë shumë mirë të gjitha projektet në futbollin në Kosovës, pasi nën menaxhimin e presidentit Agim Ademi janë bërë të munduar edhe zhvillimi i disa fushave, siç është ajo në Hajvali”, u shpreh Duka.
Pasi u rizgjodh sërish në krye të Federatës së Futbollit në Kosovë, Ademi u shpreh:
“Është obligim. Nuk e marr këtë mandat si privilegj, por si obligim të madh. Këtë obligim nuk mund ta kryej pa ju dhe ju dua afër vetes. Këtë përgjegjësi dhe ndihmën që ma jepni, unë e marr me shumë seriozitet edhe për ata që kanë mendime ndryshe, besoj se do të jenë klubet tona. Mendimin do t’ua kthejë të gjithëve me punën time, pasi jam njeri i futbollit dhe jam i lumtur që jam në familjen time apo mos të them në zanatin tim”, ka thënë Ademi. “Kur them në zanatin tim, them pasi jam një jetë me futboll si futbollist, kryetar klubi dhe prijës i federatës. I di hallet e futbollistit, klubit dhe punët e federatës. Di të jem punëtor dhe i mirë me organizatat. Unë jam vullnetar në futboll dhe do të vazhdoj të jem i tillë”.
