Sidrit Guri është shumë pranë rikthimit te Shkëndija e Tetovës. Ish-sulmuesi i njohur i Superiores kërkohet nga kuqezinjtë të cilët duan me çdo kusht titullin kampion pas 2 viteve pa trofe.
Guri, pasi mbylli një aventurë të pasuksesshme në Turqi me Istanbulspor, u transferua në Itali tek ekipi i Citta Varese në Serie D ku ka luajtur vetëm 9 ndeshje në të cilat shënoi 1 gol. Rikthimi i tij në Iliridë shihet me sy të mirë nga të 3 palët, me Gurin që shkëlqeu në sezonin 2021-2022 duke shënuar 12 gola në 30 ndeshje.
Sulmuesi 30-vjeçar ka një të kaluar me Vllazninë, Besën, Kastriotin e Korabin në Superiore përpara se të kalonte te Kukësi ku shkëlqeu duke shënuar 30 gola në 73 ndeshje duke fituar edhe titullin e vetëm kampion të verilindorëve. Paraqitje këto që i mundësuan kalimin te Oostende për shifrën e majme 710 mijë euro.