
Klubi i Flamurtarit ka bërë të ditur përmes rrjeteve sociale, dënimet e marra nga Komisioni i Disiplinës dhe Etikës në FSHF. Shkak janë bërë ngjarjet e ndodhur në sfidën e 4 shkurtit, ku Elbasani barazoi 1 me 1 ndaj Flamurtarit në “Elbasan Arena”.
50 mijë lekë të reja, që do aplikohet në masën 50%, është gjoba për shkak të sjelljes që kishte tifozëria mike në Elbasan. Në anën tjetër, po për shkak të sjelljes josportive janë dënuar Erion Dine dhe Andi Ribaj, respektivisht me 4 dhe 2 ndeshje pezullim nga aktiviteti.
Njoftimi i vendimeve nga Flamurtari:
1. Flamurtari FC, për sjellje të gabuar të spektatorëve, duke hedhur sende në fushën e lojës, në bazë të nenit 17/2/b të KDE, dënohet me gjobë në masën 50.000 (pesëdhjetë mijë) lekë. Në zbatim të nenit 76/1/a të KDE, gjoba të aplikohet në masën 50%.
2. Zyrtari i Flamurtari FC, Erion Dine, për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes, në bazë të nenit 14/1/j të KDE dënohet me 4 (katër) ndeshje pezullim nga aktiviteti.
3. Zyrtari i Flamurtari FC, Andi Ribaj, për provokim të spektatorëve, në bazë të nenit 14/1/f të KDE, dënohet me 2 (dy) ndeshje pezullim nga veprimtaritë.