Është ndarë nga jeta Enver Sulejmani, një nga figurat më të shquara shqiptare përsa i përket futbollit në Maqedoninë e Veriut. Karrierën e tij si futbollist e kaloi tek Shkëndije e Tetovës dhe Renova.
Pasi mbylli aventurën e tij në futbollin aktiv, Sulejmani u emërua Zëvendës Sekretar i Përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Maqedonisë së Veriut.
Teksa së fundmi ka mbajtur postin e drejtorit të përgjithshëm tek ekipi i Voska Sport, një skuadër shqiptare e qytetit të Ohrit. Të gjithë e njihnin Sulejmanin si një nga personat që i dedikoi jetën futbollit, teksa ishte shumë i lidhur shumë ngushtë me Kosovës dhe Shqipërinë dhe me Federatat e Futbollit përkatëse.
Pikërisht për këtë humbje, ka reaguar Armand Duka. Presidenti i FSHF-së shpreh dhimbjen e tij për ndarjen nga jeta të Sulejmanit, ku në faqen e tij zyrtare shkruan:
“I hidhëruar pa masë nga lajmi i ndarjes së papritur nga jeta të Enver Sulejmanit. Një mik i mirë, një personalitet i rëndësishëm i futbollit në Maqedoninë e Veriut, i cili ka dhënë një kontribut të madh veçanërisht në postin e Zv.Sekretarit të Përgjithshëm në Federatën e Futbollit të Maqedonisë së Veriut.
Enveri ishte një patriot i spikatur, që e donte shumë Shqipërinë e Kosovën dhe i gëzohej çdo suksesi në trojet shqiptare. Ai ia dedikoi gjithë jetën futbollit. I shpreh ngushëllimet më të ndjera familjes Sulejmani, të afërmve dhe miqve të tij. Kujtimi i tij do të mbetet i paharruar!”