Shqipëria do të luajë të shtunën kundër Izraelit, një ndeshje mjaft e rëndësishme për kuqezinjtë tanë. Para këtij takimi ka folur për emisionin "Skaner" në MCN zv.trajneri Ervin Bulku.
Ai ka treguar se trajneri Edy Reja mund të ndryshojë skemën i detyruar nga mungesat. Ndaj izraelitëve, rezultati i vetëm është fitorja. E për këtë, trajneri italian duhet të mendojë mirë deri në detaje gjithçka për të marrë 3 pikët. Në fjalën e tij për Çarçanin, Bulku tha:
“Çekiçi pasi ka bërë një rezonancë, u zbulua dëmtimi dhe u largua nga grumbullimi, prandaj morëm Çokajn në vendin e tij. Uzuni do jetë i gatshëm për ndeshjen me Izraelin. Kjo është ndeshja më e rëndësishme e sezonit. Një fitore, mund të na çojë në vendin e parë. Skuadra po punon për të marrë maksimumin e kësaj ndeshje. Lojtarët po punojnë për të qenë në formë për ndeshjen me Izraelin. Ne kemi fituar një herë në Izrael dhe pse të mos e bëjmë edhe këtë herë.
Mungesat? E vërtetë që ka mungesa, por çdo lojtar është shumë i rëndësishëm, po aq të rëndësishëm sa ata që mungojnë. Ne nuk kemi lojtarë si Messi apo Ronaldo, por kemi lojtarë që luajmë në grup dhe po punojnë mirë për të arritur objektivin. Edhe Izraeli ka mungesa të rëndësishme. Mendoj se mund të kemi një vendosje tjetër të skuadrës në fushë, duke parë mungesat që kemi. Në ndeshjen e parë kemi qenë dominues, deri te pësimi i golit. Duhet të jemi të qartë në atë që do bëjmë ne. Është një kundërshtar, që e njohim. Shumë i fortë, por jo i pakalueshëm.
Kampionati shqiptar?? Gjithmonë ka pasur lojtarë nga kampionati shqiptar. Seferi nuk ka ardhur nga jashtë, sepse 2-3 javë ka që ka ikur. Kjo nuk do të thotë se nuk ka vëmendje në kampionatin shqiptar, por duhet ta meritosh dhe të kesh cilësi për të luajtur të Kombëtarja. Ne kemi plan për të dyja ndeshjet. Por në fillim do mendojmë vetëm për ndeshjen e parë, atë ndaj Izraelit, pas asaj, do përgatisim ndeshjen tjetër“, ka deklaruar Ervin Bulku.