
Barcelona ka qenë e “mallkuar” këtë sezon sa i takon dëmtimeve. Aktualisht janë të dëmtuar 4 futbollistë. Ronald Araujo është rikthyer në aksion, por Pedri dhe Frenkie de Jong tani u është bashkuar Robert Lewandowskit, i cili pritet të mungojë për një muaj pasi pësoi një dëmtim në kyçin e këmbës kundër Portos të mërkurën.
Katalanasit do të sfidojnë Granadan në La Liga mbrëmjen e sotme duke nisur që nga ora 21:00. Në prag të këtij dueli ka folur Xavi Hernandez, i cili nuk e ka fshehur vështirësinë për të zëvendësuar sulmuesin polak.
“Humbja e Robertit dhemb. Ai është golashënuesi ynë, pika jonë e referencës në sulm dhe gjithashtu një lider. Ferran dhe Joao mund të luajnë atje, por ne sollëm edhe Pau Victor nga ekipi i dytë. Ne kemi disa opsione që mund të përshtaten me rolin e tij.
Robert bën diferencën për ne, ai transmeton frikë te rivalët tanë. Ne do të përpiqemi ta bëjmë këtë edhe me zëvendësuesin e tij. Do të jetë e vështirë të zëvendësosh një lojtar të klasit botëror si Lewandowski”, përfundoi 43-vjeçari.