E diela në tenis do sjellë në Wimbledon finalen e këtij turneu, me Nick Kyrgios që do sfidojë serbin Novak Djokovic. Australiani me origjinë greke, Kyrgios është ndër tenistët më të veçantë në qarkullim, me 27 vjeçarin që njihet për karakterin e ashpër.
Në një intervistë të fundit, australiani ka rrëfyer pasionin për basketbollin, varësinë nga alkooli dhe droga si edhe largimin nga miqtë.
Veç tyre, muajin që vjen ai do përballet në gjykatë me ish-bashkëshorten Chiara Passari, pasi kjo e fundit e ka akuzuar për dhunë.
“Kam pasur mendime për të vrarë veten, ishte një periudhë e errët për mua. Nuk kisha dëshirë të ngrihesha nga krevati dhe jo më të luaja para miliona njerëzve. Isha vetëm dhe në depresion, abuzoja me drogën, alkoolin. Largova shokët dhe familjen nga vetja, kisha një ndjesi që nuk mund t’i besoja askujt.
Kjo ishte si një rezultat i të larguarit nga të dashurit e mi. Tani jam shumë krenar të them se jam një person totalisht ndryshe, shijoj çdo moment dhe dëshiroj që njerëzit të arrijnë potencialin e tyre maksimal dhe të jenë të lumtur. Jeta është e bukur.
Për mua ka qenë e vështirë të shkëputesha nga basketbolli. Ka qenë dashuria e parë dhe për mua basketbolli shërben si meditim. Kur isha në moshën 14 vjeçare, prindërit më thanë të mos luaja më basketboll. Më dhimbte në zemër, ende dhemb. Ishte shumë e vështirë të largohesha nga basketbolli, e dua shumë”, tha Kyrgios.
