Situata te Partizani duket mjaft pozitive, jo vetëm prej paraqitjeve mbresëlënëse në fushën e blertë, por edhe për grupin që duket më i bashkuar se kurrë. Prej ditësh ka nisur muaji i shenjtë i Ramazanit, megjithatë kjo nuk ka penguar futbollistët për të dhënë maksimumin në fushë. Te Partizani ka disa lojtarë që kanë zgjedhur të agjërojnë.
Bëhet fjalë për Eneo Bitrin, Egzon Belicën, Rron Brojën, Hektor Idrizajn, Esat Malën, Ferhan Hasanin dhe Stenio Junior. Këta kanë zgjedhur të çelin bashkë iftarin dhe këtë e tregojnë përmes fotove në rrjetet sociale. Edhe pse ky muaj është ndryshe për ta, në stërvitje kanë kënaqur trajnerin Ilir Daja me performancën e treguar.
Kujtojmë që nesër Partizani do të luajë kundër Kukësit në kuadër të javës së 29-të të Superiores. Pritet me interes ky takim, me dy ekipe me objektiva ndryshe. Partizani është kandidat potencial për titull, ndërsa verilindorët po luftojnë për një biletë në Europë, edhe pse tashmë duket shumë larg.
