Kombëtarja shqiptare U-16 ka nisur që prej ditës së shtunë grumbullimin në kuadër të dy ndeshjeve miqësore kundër Italisë që do të zhvillohen në shtetin fqinj në datat 24 dhe 26 janar. Kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri Agron Kërçova kanë zhvilluar seancat e para përgatitore në Durrës dje dhe sot, teksa të hënën do të udhëtojnë drejt Italisë.
Në një prononcim për fshf.org, trajneri shqiptar tregon edhe se si janë përzgjedhur futbollistët e rinj që përbëjnë ekipin U-16 këtë vit. “Kemi bërë dy seleksionime: në Shqipëri, me lojtarë që luajnë në kampionatin vendas, por edhe futbollistë që vijnë nga Italia e Gjermania. Kemi një grup të ri tek ekipi kombëtar U-16, shumica prej tyre kanë ardhur nga ekipi U-15”- tha tekniku Kërçova i cili flet edhe për dy miqësoret kundër Italisë.
“Do bëjmë dy ndeshje miqësore në Itali. Shpresojmë të bëjmë mirë në këto dy sfida. Janë dy ndeshje luksi dhe dua të falënderoj Federatën Shqiptare të Futbollit që na ka mundësuar. Me këtë rast shohim edhe gjendjen e lojtarëve dhe do të ballafaqohemi me një ekip të fortë, që do të na shërbejë të nxjerrim edhe elementët më të fortë që do t’i shërbejnë ekipit kombëtar U-17”- tha ndër të tjera trajneri Agron Kërçova.