Kundërshtari i Partizanit në play-off të Europa League, Krasnodari, është një skuadër tepër e fortë por pa shumë histori.
Klubi është krijuar në vitin 2008, pra ka vetëm 8 vjet ekzistencë, dhe që në vitin e parë arriti të ngjitej në Premier Ligën ruse.
[caption id="attachment_23584" align="alignleft" width="300"] Stema e Krasnodar[/caption]
Krasnodar merr pjesë për herë të tretë në kupat e Europës, të treja herët në Europa League. Sezoni i shkuar ishte më i suksesshmi për rusët në pjesëmarrjet europiane teksa arritën të kualifikohen në grupe pasi e nisën që nga turi i tretë kualifikues dhe u renditën të parët në një grup me gjermanët e Borusia Dortmund, grekët e PAOK dhe azerët e Gabalës. Në fazën e 32 më të mirave u eleminuan nga Sparta e Pragës. Në pjesëmarrjen e tyre të parë europiane para dy sezonesh e nisën rrugëtimin nga turi i dytë kualifikues dhe arritën deri në grupe, ku u renditën të tretët me kundërshtarë si Volfsburg, Lilë, Everton. Në kampionatin rus renditja më e mirë është vendi i tretë para 2 sezonesh, ndërsa vjet e mbyllën ne vend të katërt.
Klubi është duke ndërtuar një stadium të ri në qytetin e Krasnodarit prej 33 mijë vendesh, ndërsa aktualisht deri në përfundimin e stadiumit të ri luan në stadiumin e Kubanit.
Krasnodar u kualifikua në fazën play-off të Europa League pasi mposhti 6-1 me rezultat të përgjithshëm skuadrën malteze Birkirkara.