
Dëgjesa publike për propozimin e rihapjes së basteve sportive online në Shqipëri, ka bërë bashkë kryeministrin Rama, krerët e federatave të sportit dhe ministra e kryetarë bashkie në një diskutim.
Zhani Çakulli, drejtori i Lojërave të Fatit tregoi se nëse qeveria rikthen bastet, këto të bëhen të kontrolluara dhe çdo lojtar të identifikohet me ID.
“Para 2018 kanë qenë 5 mijë salla, ishin bërë një gangrenë. Përmes portalit të ankesave ne marrim shumë ankesa. U bë e papërballueshme.
S’e kemi pjesë që të merremi me sallat informale, por kur marrim informacion ne shkojmë. Kemi pasur 150 procedime penale këto dy vitet e fundit. Problematika ishte me reklamat që bëheshin. Që kur u mbyllën reklamat, ankesat u ulën. Duke qenë se ishin shumë salla, as menaxherët nuk i kontrollonin dot ata që luanin.
Unë do propozoja që nëse do bëhet kjo dhe online, të regjistrohesh dhe do futesh me kartën ID. Më parë ishte vështirë të kontrolloheshin. Ndërsa sot ID do jetë në kohë reale.
Ne parashikojmë që të ardhurat të dyfshohen nga kjo fushë. Cdo transaksion do monitorohet dhe të ardhura do të shkojnë nga 50 milionë euro që kanë qenë ne parashikojmë që të ardhurat të shkojnë në 100 milionë euro”, tha Çakuli.