
Ndeshja e së shtunës mes Milanit dhe Monzës do të jetë një ndeshje speciale për dy kampet teksa dyshja Berlusconi – Galliani rikthehen në San Siro, aty ku shkruan me gërma të arta historinë e Milanit. Në prag të sfidës, trajneri Pioli ka dalë në konferencë për shtyp.
“Dua që skuadra të luaj në nivelin që ajo ka, edhe pse nis një rrugëtim i rëndësishëm me shumë ndeshje të ngjeshura. Prandaj ne duhet ta nisim me këmbën e duhur këtë cikël.”
Sfida ndaj Monzës - “Do të jetë një ndeshje e veçantë ndaj Monzës, me nuanca romantike. Berlusconi dhe Galliani kanë shkruar historinë me Milanin. Megjithatë, ne nuk duhet të mendojmë shumë për këtë gjë, sepse na duhet vetëm fitorja me ta. Vijmë nga tre fitore dhe duhet të vazhdojmë me këtë ritëm.”
Gjendja e lojtarëve - “Ajo që i ndodhi Theos ishte një situatë shumë e pakëndëshme, por ai po e nxjerr inatin në fushë dhe ne po i qëndrojmë afër. Për Maignan më vjen shumë keq për dëmtimin. Është një lojtar i rëndësishëm dhe po bënte gjithçka për t’u rikthyer. Pësoi dëmtim në të njëjtin muskul dhe besojmë se do të qëndrojë jashtë deri në fundin e janarit.”
Rotacione - “Po mendoj për dy variante. Do të luajmë 7 ndeshje në 22 ditë dhe asnjë lojtar nuk mund të jetë gati t’i luajë të gjitha. Në të kundërt rrezikojnë të dëmtohen. Kam një grup me lojtarë të fortë dhe e di që skuadra nuk do të humbasë vlera në aspektin teknik e as në personalitet edhe nëse bëj ndryshime. Kemi rikuperuar lojtarë të rëndësishëm si Kjaer dhe De Ketelaere.”- deklaroi Stefano Pioli.