Federata Shqiptare e Futbollit ka përfunduar me sukses një tjetër edicion të kursit të licencimit për trajnerë të nivelit UEFA B.

Në këtë kurs që organizohet nga Departamenti i Edukimit në FSHF morën pjesë emra të njohur të futbollit shqiptar, teksa këtë edicion ishin pjesëmarrës 40 trajnerë, të cilët ndoqën kurrikulën e përgatitur nga FSHF në bashkëpunim me UEFA-n dhe mbyllën me sukses provimin final.

Ky kurs nisi më 23 tetor dhe zgjati për dy muaj teksa u zhvillua i ndarë në katër periudha dhe u përmbyll sot me shpërndarjen e licencave.

Pas përfundimit të testit, në ambientet e Shkollës së Trajnerëve në Kamëz u zhvillua ceremonia e shpërndarjes së diplomave UEFA B, ku të pranishëm ishin edhe Drejtori i Sektorit të Edukimit, Sulejman Starova dhe specialisti i Departamentit të Edukimit në FSHF, Alban Tafaj.

Emrat e njohur të futbollit shqiptar që morën pjesë në kursin UEFA B ishin, Sabien Lilaj, Jahmir Hyka, Edvan Bakaj, Enkel Alikaj, Jetmir Sefa dhe Ardit Beqiri, ndërkohë që mes tyre kishte edhe disa vajza që tashmë do të jenë trajneret më të reja të futbollit dhe do të kontribuojnë në zhvillimin e futbollit të vajzave.