
Ai ka thyer dy nga rekordet e vendosura nga Thierry Henry dhe nuk mund t’i shmanget krahasimeve me legjendën e futbollit francez. Sulmuesi i Monaco Kylian Mbappe është mbajtur nën vëzhgim nga klubet e mëdha europiane para se të transformohej në 18-vjeçarin që eliminoi Manchester City-in nga Champions League. Verën e kaluar “Qytetarëve” u është refuzuar një ofertë prej 39 milionë eurosh të bërë për sulmuesin e ri, i cili ka marrë oferta të rëndësishme edhe nga klube të tjerë. Mbappe është një tifoz i Real Madrid, por ka refuzuar edhe madrilenët, ashtu si Chelsea-in, Liverpool-in dhe Bayern Munich, duke zgjedhur të nënshkruajë me Monaco në moshën 15 vjeç.
“Los Blancos” kanë qenë aq të befasuar nga talenti francez, saqë e kanë marrë në Spanjë për një provim njëjavor në “Bernabeu” ku ai është pritur nga vetë Zinedine Zidane. Vitet e tij të para si futbollist, Mbappe i ka kaluar te As Bondy, një ekip i vogël në rrethinat e Parisit që drejtohej nga babai i tij Wilfried, i cili tani është menaxheri i tij. Ata vendosën të refuzonin klubet e mëdha për të siguruar një vend në formacionin e Monaco kur Mbappe u largua nga As Bondy në moshën 15 vjeç.