
Skuadra nga Tetova, Shkëndija luan nesër në kampionatin e Maqedonisë së Veriut një sfidë të rëndësishme për kreun e renditjes. Ekipi me origjinë shqiptare përballet me Tikves në 1.MFL, liga e parë e fqinjëve tanë.
Tetovarët vijnë në këtë javë të 10-të me 18 pikë dhe vendin e dytë në klasifikim. Shkëndija ka grumbulluar 5 fitore dhe vetëm 1 humbje sivjet e ndaj kërkon që mos të lërë pikë rrugës drejt titullit kampion të Maqedonisë. Vend të parë ndodhet Rabotnicki me 1 pikë më shumë. Takimi i ditës së nesërme, kohë kur luhen të gjitha sfidat e kësaj jave, nuk duket fort-problem për shkëndijasit. Tikves ndodhet në vend të parafundit me po aq pikës sa rivalët “e përbetuar” të Tetovës, Vardari.
Ekipi i Vardarit nga Shkupi ka shumë luhatje dhe po lufton për mbijetesë, teksa në ballafaqimin me kryeqytetasit Shkëndija doli ”faqebardhë” duke i mposhtur 4-0 në stadiumin e qytetit që po rikonstruktohet.
Mbrojtësi që me pashaportizim është maqedonas, por me origjinë shqiptare, Mevlan Adili ka folur para kësaj sfide në konferencën për shtyp të KF Shkëndija.
“Skuadër që meriton respekt, pasi e ka dëshmuar edhe sezonin e shkuar kur fituan Kupën e vendit, gjë që s’është e lehtë. Sa i përket ndeshjes mendoj se është koha dhe momenti për të dëshmuar se dimë të fitojmë edhe jashta Tetovës, sepse këto fitore sipas meje nuk vlejnë 3, por 6 pikë”, u shpreh Adili, futbollist i ekipit të superligës maqedonase.