
Fitorja e sotme e Skënderbeut kundër Luftëtarit me shifrat 3-0 riktheu edhe një herë në vëmendje kampionët e Superligës, të cilët duket se më në fund, pas një sezoni me luhatje kanë gjetur jo vetëm vijimësinë në rezultate pozitive, por edhe spektaklin në fushën e gjelbër.
Pas katër ndeshjesh në kampionat në stolin e Skënderbeut, trajneri Ilir Daja duket se ka arritur në kohë rekord t'iu implementojë futbollistëve që ka në dispozicion, mënyrën e tij të lojës.
Por, suksesi kundër Luftëtarit pasditen e sotme në Korçë, mund të konsiderohet edhe si një "hakmarrje për drejtësi".
Arsyeja? Gjithçka nisi me Luftëtarin në kohën kur gjatë këtij sezoni, Ilir Daja drejtonte Tiranën. Humbja 3-1 në stadiumin e Peqinit kundër gjirokastritëve shërbeu si motiv që trajneri të kishte krisje me drejtuesit bardheblu dhe një javë më pas u shkarkua nga stoli i 24 herë kampionëve të vendit.
Sot me Skënderbeun, trajneri i korçarëve vendosi "veton" me spektakël dhe rezultat bindës. Nga Luftëtari me Tiranën, te Luftëtari me Skënderbeun, Ilir Daja, përveç kënaqësisë së një fitore të rëndësishme, sigurisht që mund të ndjejë se "drejtësia" për të u vendos në vend.