Ishte afër të bënte realitet një ëndërr të madhe, por nuk ia doli dot të linte gjurmë, edhe pse u aktivizua në pjesën e dytë nga trajneri Franco Foda.
Mërzitja në kampin e "Dardanëve" u pa qartë pas vërshëllimës së fundit të kryesorit, ku lojtarët shpërthyen në lot, mes të cilëve dhe Edon Zhegrova i cili hyri në fushë në minutën e 71-të të sfidës.
Teksa nga turqit të gjithë po festonin, një detaj ra në sy që u filmua dhe nga kamerat amatore të pranishme në stadium. Kenan Yildiz, i cili është dhe shok skuadre me Zhegrovën tek Juventus në Itali, u shkëput nga festa për t'iu gjendur pranë dhe për ta ngushëlluar.
Një gjest prej kampionësh që tregon edhe njëherë raportin e shkëlqyer mes dy futbollistëve, pavarësisht se në fushë u shfaqën si rivalë për skuadrat respektive.
