Lider në Kombëtare, Berat Gjimshiti bën krenar edhe Atalantan: Vazhdojmë luftën për të realizuar ëndrrën
Shkruar nga NEWSPORT
Berat Gjimshiti është padyshim një nga lojtarët më të rëndësishëm në Kombëtaren shqiptare. Mbrojtësi është një lider në prapavijën e kuqezinjve duke qenë një titullar i padiskutueshëm si për Edi Rejan edhe tani për Sylvinhon.
Një dëmtim i hoqi mundësinë të luante ndaj Polonisë, me të cilët humbëm ndeshjen e parë ndërsa në dy ndeshjet e fundit me Moldavinë dhe Ishujt Faroe ai u rikthye. Titullar për 180 minuta dhe dy fitore që i japin 6 pikë jetike Shqipërisë e cila ngjitet në vendin e dytë në grup.
Ky pozicion të garanton vendin në finalet e Euro 2024, objektivin që kaq shumë e dëshirojmë. Mirëpo, ka ende edhe 4 finale ku 2 të rradhës janë vendimtare. Në shtator do të sfidojmë rivalët direkt Çekinë dhe Poloninë. Gjimshiti shkruan në rrjete sociale pas ndeshjes me Ishujt Faroe: Vazhdojmë luftën për të realizuar ëndrrën.
Mbrojtësi bën krenar me paraqitjet e tij edhe Atalantan. Klubi italian kanë postuar mbrojtësin e tyre në rrjete sociale duke shkruajtur: 2 ndeshje, 2 fitore.